Marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi, Hovenier: Ka afat kohor, po bëjmë gjithçka

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-të janë duke bërë gjithçka që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka folur për afatin kohor se kur mund të arrihet kjo, duke mos dashur të japë datë.

“Mendoj se ka shumë sinjale që periudha e ardhshme, dhe nuk dua ta përkufizoj me 18 muaj apo dy vjet apo çfarëdo, por nuk është e pafund dhe ka mundësi të njëmendtë tani. E di që përfaqësuesi i posaçëm Lajçak është i përkushtuar për të bërë gjithçka që mundet për të shtyrë këtë gjë përpara. E di që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bërë gjithçka që mundemi për ta shtyrë këtë gjë përpara. Prandaj mund t’ju premtoj se diçka nga kjo do të varet nga kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq dhe ekipet e tyre përkatëse se çka është e mundur të arrihet, por ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të realizohet kjo”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka theksuar se vënia e afate kohore se do të ketë përfundim të procesit të dialogut janë false dhe se kjo nuk nënkupton përparim.

“Natyrisht që ka afat kohor. Populli i Kosovës dëshiron ta shohë vendin plotësisht të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Edhe ne e duam këtë gjë. Ne mendojmë se momentalisht jemi në një çast kur ka gjasa të njëmendta për arritjen e përparimit në dialog”.

“Ka përkushtim nga administrata e Bidenit. E kemi situatën kur politika e brendshme është më pak relevante meqenëse nuk do të keni zgjedhje as në Kosovë e as në Serbi për një kohë të caktuar. Pra, ne shpresojmë dhe e di që edhe përfaqësuesi i posaçëm Lajçak shpreson të shohë këtë periudhën e ardhshme ku kemi këtë mundësi që vërtetë të jetë periudhë ku kolektivisht arrijmë përparim”,ka thënë Hovenier.

Tutje, ai ka shtuar se ShBA-të e kanë thënë zyrtarisht se besojnë që duhet të jetë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke.

Go to TOP