Marrëveshja për energjinë në veri, Fejzullahu: Implementimi nuk do të jetë i lehtë, qytetarët në veri do të kenë mundësi ta zgjedhin furnizuesin
Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, deklaroi se implementimi i marrëveshjes për energjinë në veri nuk do të jetë i lehtë. Pas licencimit të “Elektrosever”, qytetarët në veri, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, do të kenë mundësi të zgjedhin edhe furnizuesin e energjisë.
Fejzullahu thotë se implementimi i kësaj marrëveshje do të kishte ndikime pozitive. Sipas tij, përpos pagesës për shërbime, do të zhbllokoheshin dy linjat interkonektive mes Serbisë dhe Kosovës që do të përkthehej në më shumë të hyra për KOSTT-in, por do të bënte që të ulej edhe kërkesa për energji në veri, që është rritur dukshëm vitin e fundit, si pasojë e prodhimit të kriptovalutave.
ZRRE kreu obligimin e saj në kuadër të marrëveshjes së Brukselit për të licencuar “Elektroseverin” por Fejzullahu thotë se efektet e kësaj marrëveshjeje do të shihen pasi të fillojë faturimi e pagesa.
“Kjo marrëveshje deri më tani nuk ka filluar të zbatohet, siç e dini kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 është konkluza e vitit 2015, janë arritur konkluzat e vitit 2015 që janë proces për implementimin e kësaj marrëveshje mirëpo deri më tani nuk kemi pasur rezultate konkrete.
Tash siç e dini javën e kaluar e kemi lëshuar licencën për ‘Elektrosever’ duke u bazuar edhe në aplikacionin që ata kanë kërkuar në vitin 2020, mirëpo ende nuk kemi parë hapa konkret të zbatimit në raport me konsumatorët, ju e dini që regjistrimi ka pasur hapa të vegjël në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje mirëpo, implementimi ose efekti tek konsumatorët ende nuk ka filluar”, deklaroi Fejzullahu.
Me licencimin e “Elektrosever”, qytetarët në veri tashmë kanë mundësi të zgjedhin furnizuesin për energji elektrike, mes kompanisë serbe dhe KESCO-s. Por, që sipas tij, i jep fund diskriminimit rreth pagesave mes asaj zone dhe zonave të tjera të vendit.
“Qytetarët e kanë mundësinë pavarësisht si në veri, si në jug, si në çdo qytet të Kosovës që të furnizohen me tarifa të rregulluara të cilat i përcakton rregullatori, pa përjashtim edhe këto katër komuna në pjesën veriore të Kosovës.
Për arsyeje që tashmë janë shumë të njohura, implementimin në ato zona e kemi pasur të vështirësuar, si tarifat e rrjetit të transmisionit, implementimin e tarifave të rrjetit të distribucionit, por edhe tarifat me pakicë në këtë rast te furnizuesit universalë në këtë rast KESCO.
Tash e tutje shpresojmë që këto tarifa do të implementohen edhe në ato komuna për të cilat po diskutojmë, prandaj konsumatorët nuk do të kenë diskriminim në raport me këtë pjesë ose atë pjesë, ato komuna ose këto komuna të Kosovës.
Është me rëndësi të theksojmë për ato katër komuna është licencuar edhe një furnizues tjetër që është në harmoni me marrëveshjen e Brukselit të cilat kanë të drejtë të zgjedhin të furnizohen ata qytetarë të asaj pjese përmes tarifave të këtij furnizuesi. Ata e kanë si mundësi zgjedhje, po jo detyrim, të gjithë konsumatorët që dëshirojmë të furnizohen me tarifa të cilat i ofron ky furnizues”, ka thënë Fejzullahu.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, ka thënë se kompania “Elekrosever” ka të drejtë të blejë energjinë kudo, edhe në Serbi, varësisht prej çmimit më të lirë.
“Ata janë të detyruar që ta gjejnë energjinë më të lirë në treg, në rast se ata gjejnë më lirë me shumicë në treg, atëherë do ta blejnë atë energji e cila është më e lirë, dhe për këtë arsyeje rregullatori e ka të pamundur jo vetëm ‘Elektroseverin’ por cilin do furnizues që të detyrojë ku ta blejë energjinë elektrike. Secili furnizues e blen energjinë aty ku e gjen më lirë”, tha Fejzullahu.
Ai pret që me marrëveshjen për energjinë të zhbllokohen edhe dy linjat interkonektive të transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë që do të thoshte më shumë të ardhura për KOSTT-in.
“Aktualisht Serbia i ka bllokuar linjat inter-konektive të transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë, ne pas implementimit të marrëveshjeve shpresojmë që do të fillon edhe zhbllokimi i këtyre dy linjave, të cilat do të na mundësojnë që KOSTT të ketë të hyra shtesë nga alokimi apo shitja e kapaciteteve në treg të këtyre dy linjave, përveç përfitimeve që do të kemi që konsumatorët do të fillojnë t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike, do të kemi edhe një përfitim shtesë meqë do të kemi të hyra alokimi i kapaciteteve në këtë rast KOSTT-i do të sigurojë të hyra shtesë nga alokimi i kapaciteteve të dy linjave interkonektive mes Serbisë dhe Kosovës”, deklaroi ai.
Kreu i bordit të ZRRE thotë se me faturimin e energjisë në veri pritet të ulet edhe kërkesa për energji, që sipas tij, ishte rritur me 30% viteve të fundit, ku në mënyrë ilegale prodhohen edhe kriptovaluta.
Dimri parashikohet të jetë i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Në këtë periudhë të vitit Kosova ka nevojë për import të energjisë për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.
Fejzullahu, që vë theksin tek rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ndërsa apelon qytetarët që të shmangin ngrohjen me energji.
“Dimri i ardhshëm ju besoj se e dini jo vetëm Kosova por edhe Gjermania janë të shqetësuar që ekziston mundësia të kemi vështirësi në kuadër të tregjeve ndërkombëtare të sigurimit të sasisë të energjisë, mirëpo Kosova fatmirësisht në shumicën e rasteve përveç periudhës së dimrit është eksportuese e energjisë elektrike.
Në periudhën e dimrit ne do të bëjmë përpjekje maksimale që, edhe ajo sasi e energjisë që është e nevojshme për import të sigurohet në mënyrë që të kemi furnizim 24h me energji elektrike për konsumatorët tanë, mirëpo duhet ta kemi parasysh se çmimet sipas bursave ndërkombëtare janë shumëfish më të larta se sa që i kemi parashikuar dhe, siç janë parashikuar nga tregjet botërore.
I lusim konsumatorët që të mundohen maksimalisht ata që kanë mundësi me i gjete alternativat sidomos me ngrohje nga energjia elektrike sepse siç po shihet ngrohja me energji elektrike është mënyra jo më e mirë”, ka përfunduar Fejzullahu.
Comments