Manaj: Jam i përkushtuar për zhvillimin e Kryeqytetit

Shkëmb Manaj është emëruar zyrtarisht Nënkryetar i Prishtinës, me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe me mbështetjen e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Nëpërmjet një postimi publik, Manaj ka shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë, duke e cilësuar këtë detyrë si përgjegjësi të lartë jetësore dhe nder për të vazhduar t’u shërbejë qytetarëve të Kryeqytetit.

“Do të angazhohem me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e Kryeqytetit, duke punuar bashkë me kolegët për realizimin e projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë,” theksoi Manaj.

Ai kujtoi gjithashtu mbështetjen që ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet nacionale, duke përmendur 17,305 votat që kishte fituar, si dëshmi e angazhimit të tij të vazhdueshëm për të mirën e vendit.

“Pavarësisht sfidave, do të jem përherë në funksion të qytetarëve, të LDK-së dhe përmes saj në funksion të shtetit të Kosovës. Nuk ka forcë që na ndal nga rruga jonë e drejtë,” shtoi ai duke përmbyllur me një mesazh falënderimi dhe përkushtimi. /Kosova.info/


Go to TOP