Rama përball Macronit: Kundër s’ka, miratohet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë sot publike një foto me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian të mbajtur ditën e djeshme në Pragë.

Ajo që vihet re është komenti i Ramës që shoqëron foton. Ai shkruan: “Kundër s’ka, miratohet”, si një shenjë për dakordësinë e arritur midis liderëve evropian për nismën e re të Komunitetit Politik Evropian, is një ide e presidentit francez.

Pas takimit Rama nga Praga është shprehur se Europa ndodhet në prag të një lufte të mundshme, siç do të ishte Lufta e Tretë Botërore.

Për këtë arsye, Kryeministri Rama ka shprehur hapur mbështetjen e Komitetit Politik Evropian pasi thekson se politika e tërë është shtysë e një rruge të re bashkëjetese.

“Ja pse premtimi, joshja, mundësia e një Komunitetit Politik Europian të ri është kaq tërheqëse”, thekson kryeministri Rama në një video mesazh të publikuar në Facebook.

Por çfarë është Komunitetit Politik Evropian?

Ideja e Komunitetit Politik Evropian e nisur nga presidenti francez Emmanuel Macron u mbështet nga liderë të tjerë evropianë dhe u përqafua dhe nga ata të institucioneve evropiane, si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka deklaruar në 14 shtator 2022, se Komisioni Evropian ka idetë e tij për këtë komunitet.

Komuniteti Politik Evropian ofron së pari një qasje politike në institucionet kyçe evropiane. Siç është shprehur në samitin evropian të 23 qershorit, Charles Michel, Komuniteti Politik do të takohet të paktën dy herë në vit në nivelin e liderëve, ku dialogu politik do të zhvillohet në baza të barabarta.

Po ashtu, qasja në takimet e familjeve të gupeve politike, të cilat mbahen përpara samiteve, do të ishte gjithashtu e hapur për vendet jo anëtare të BE-së. Formacionet politike të këtyre vendeve mund të integrojnë partitë politike evropiane. Ky përfaqësim politik mund të reflektohet edhe në Parlamentin Evropian, ku delegacionet nga vendet jo-anëtare mund të marrin pjesë në seancat plenare si vëzhgues, duke përfituar nga e drejta e fjalës dhe e kontributit në punën e komisioneve parlamentare, pa të drejtë vote, përveçse për rezolutat e miratuara nën kujdesin e Komunitetit Politik Europian.

Takimet e Komunitetit mund të mbahen edhe në nivel ministror. Ajo që përbën interes, është se ofrohet mundësia që ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u bashkohen takimeve të Këshillit të punëve të jashtme të BE-së në baza të rregullta, në varësi të agjendës.

Dhe formacione të tjera, si Këshilli i punëve të përgjithshme, ku diskutohet për procesin e zgjerimit të BE-së mund të frymëzohen nga një shembull i tillë. Kjo do të thoshte, që ministrat e Ballkanit Perëndimor të jenë prezentë në varësi të agjendës, kur diskutohet për vendet e tyre.

Kjo nismë është parë si domosdoshmëri për periudhën në të cilën ndodhet sot Evropa, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë. 

Go to TOP