Macroni kritikohet për takimin me Bin Salmanin pas vrasjes së Khashoggit

Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar takimin e planifikuar të presidentit francez, Emmanuel Macron, me Princin Mohammed bin Salman të Arabisë Saudite të shtunën, që do ta shënojë takimin e parë publik sy më sy të një udhëheqësi të rëndësishëm perëndimor me princin që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi.

Për tre vjet që nga vrasja e vitit 2018, udhëheqësit perëndimorë i kanë shmangur takimet një me një me Bin Salmanin. Megjithatë, veprimi i Macronit sugjeron se së paku një udhëheqës i rëndësishëm perëndimor është i gatshëm që formalisht t’i rivendosë raportet drejtpërdrejt me princin, më pak se një vit pasi agjencitë amerikane të inteligjencës publikuan një raport në të cilin thanë s ebesojnë që Princi Bin Salman e kishte miratuar vrasjen e Khashoggit.

“Cilatdo qofshin interesat strategjike që Franca ka në Arabinë Saudite, asgjë nuk mund ta justifikojë legjitimimin e saj për një udhëheqës që vret gazetarë, që kërcënon aktivistë, që burgos mbrojtës të të drejtave të grave dhe që e mashtron komunitetin ndërkombëtar”, tha Agnes Callamard, franceze që shërben si sekretare e përgjithshme e organizatës “Amnesty International”.

Pasi Macroni u akuzua se po përpiqet që ta “rehabilitojë” Bin Salmanin, zyra e tij e mbrojti takimin, duke u thënë gazetarëve se Arabia Saudite është “aktore e rëndësishme në rajon” dhe theksoi se Franca do të ketë një “dialog kërkues” me mbretërinë, shkruan The Guardian.

Lajmi për takimin e Macronit me princit saudit erdhi në kohën e një përpjekjeje të re të administratës së Presidentit Biden të ShBA-së për kontakte me Arabinë Saudite për ta bindur që ta rrisë sasinë e prodhimit të naftës.

Go to TOP