Musliu: Qeveria e VV-së me 11 ligje antikushtetuese – ka ardhur koha për veprim opozitar
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti duke e akuzuar për tentim të instalimit të një sistemi monist dhe shkelje të vazhdueshme të rendit kushtetues.
Musliu tha se një qeveri që brenda një mandati katërvjeçar ka proceduar 11 ligje të shpallura antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të pritet të respektojë as vendimet e këtij institucioni.
“VV po mundohet të instalojë sistem monist. E meqenëse këta zhyllanat e VV-së nuk po e respektojnë Kushtetutën e Kosovës, ka ardhë koha që partitë opozitare mos ta respektojnë rregulloren dhe ta kthejnë debatin në Kuvend”, deklaroi ajo.
Sipas saj, tani është momenti që opozita të kalojë nga fjalët në veprime për të mbrojtur demokracinë dhe sovranitetin e vendit.
“Ka ardhë koha për veprim. Ka ardhë koha t’i japim Albinit, Dejonës dhe marionetave të tyre një leksion politik. Për Kosovën shtet të lirë, sovran dhe demokratik”, përfundoi Musliu duke e shoqëruar reagimin e saj me hashtagët: #podemokracise dhe #jodiktaturës. /Kosova.info/
