Lushi: Specialja dështoi të provojë aktakuzën – Thaçi dhe të tjerët pengje të një loje gjeopolitike
Veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së duke e cilësuar atë si një veprim të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Sipas Lushit, pavarësisht kërkesave të ashpra të Prokurorisë, gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve nuk ka arritur të provojë asnjë pikë të aktakuzës. Ai thekson se prokurorët, të zhgënjyer nga dështimi për të ndërtuar një rast të qëndrueshëm, mund të kërkojnë edhe dënime ekstreme, por se Trupi Gjykues duhet të mbështetet vetëm në fakte, prova dhe evidencë ligjore.
“Gjykimi kundër Hashim Thaçit et al. ka dëshmuar vetëm një gjë: të katërtit ishin dhe mbeten pengje të politikës së të huajve,” ka deklaruar Lushi duke shtuar se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga interesat gjeopolitike.
Ai ka kritikuar edhe shpenzimet enorme të këtij procesi duke theksuar se prokurorët dhe ekipet e tyre janë paguar qindra miliona euro për një rast që, sipas tij, u dëshmua si veprim perfid gjeopolitik dhe jo si proces i drejtë gjyqësor.
“Drejtësia duhet ta injorojë gjeopolitikën. Kosova pa çlirimtarët e saj nuk do të jetë e lirë,” ka theksuar Lushi duke e quajtur procesin një nga padrejtësitë më të mëdha ndaj kombit shqiptar.
Në fund, ai ka kërkuar verdiktin e vetëm që e konsideron të drejtë: shpalljen e pafajësisë për të katër të akuzuarit dhe kthimin e tyre të menjëhershëm në atdhe.
“Padrejtësia e mileniumit kundër kombit shqiptar mund të mbyllet vetëm me një vendim – katër të akuzuarit shpallen të PAFAJSHËM dhe janë të lirë të kthehen në Kosovë menjëherë,” ka përfunduar Lushi. /Kosova.info/
