Lushi: Opozita arriti ta ekspozojë pamendësinë dhe limitin e Albin Kurtit

Aktivisti i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë duke vlerësuar se opozita-PDK, LDK, AAK dhe Nisma—ka arritur ta ekspozojë, siç thotë ai, “pamendësinë dhe limitin e Albin Kurtit”. Ai kritikon ashpër edhe ministren Albulena Haxhiu, për të cilën thotë se “i është treguar vendi” dhe “është nxjerrë mjaftueshëm në pah padija e saj politike”.

Megjithatë, Lushi bën thirrje për maturi dhe përgjegjësi institucionale. Ai thekson se partitë opozitare duhet ta votojnë kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, jo për hir të Kurtit apo Haxhiut, por për hir të procesit demokratik dhe të mirës së shtetit të Kosovës.

“Pas zgjedhjes së Haxhiut si Kryekuvendare ose do të krijohet një qeveri, ose vendi do të shkojë në zgjedhje. Por që të ndodhë kjo, duhet të hapet rruga. Pa konstituivin e Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të reja,” shkruan Lushi.

Ai apelon që inatet dhe kokëfortësia politike të lihen anash, sepse, siç thotë ai, “vazhdimi i këtij inati absurd nuk e bën askënd fitues”.

“Lëshimi rrugë para marrëzisë dhe kokëfortësisë së paepur nuk është dobësi, por fisnikëri dhe pjekuri,” përfundon Uk Lushi. /Kosova.info/

Go to TOP