Tottenham pa Son Heung-min ndaj Liverpool

Tottenham Hotspur do të udhëtojë drejt “Anfield” pa kapitenin, Son Heung-min, për përballjen e së dielës ndaj liderit të Premier Leagues, Liverpool. Megjithatë, trajneri Ange Postecoglou mbetet optimist se sulmuesi koreano-jugor do të rikthehet në kohë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Europa League kundër Bodo/Glimt, që zhvillohet të enjten.

Son ka munguar në tri sfidat e fundit të “Spurs” për shkak të një lëndimi në këmbë. Sipas Postecoglou, ai është i vetmi lojtar që mbetet jashtë formacionit për ndeshjen ndaj Liverpool.

“Gjendja e tij po përmirësohet, çka është pozitive, por nuk do të jetë gati për të dielën. Do të shohim për të enjten”, ka thënë trajneri australian para gazetarëve. “Sot ishte hera e parë që doli në fushë dhe është më mirë se më parë. Siç dihet, këmbët janë pjesë që mbajnë peshë dhe kërkojnë kohë për rikuperim”.

Përballja ndaj Liverpool vjen në një moment kur “The Reds” mund të sigurojnë titullin kampion edhe me një barazim, ndërsa Tottenham, i pozicionuar në vendin e gjashtëmbëdhjetë me vetëm tridhjetë e shtatë pikë, po shpreson të shpëtojë sezonin përmes Europa League. 

“Duam të shkojmë atje dhe të garojmë denjësisht ndaj një skuadre shumë të mirë. Nuk është çështje mbijetese, por të dalësh nga një ndeshje ku ke luajtur mirë kundër një kundërshtari të fortë”, ka theksuar Postecoglou. “Pavarësisht çka na pret më pas, kjo është ende prioritet për ne”. 

Tottenham ka pësuar tetëmbëdhjetë humbje në kampionat këtë sezon dhe ka pak shpresa për të siguruar një vend në Evropë përmes renditjes. Megjithatë, suksesi në Europa League jo vetëm që do t’u sillte një trofe, por edhe kualifikimin në Champions League.

“E dimë që forma dhe pozita jonë në ligë nuk janë të pranueshme, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm për një mundësi të jashtëzakonshme që kemi përpara. Nëse arrijmë në finale dhe fitojmë, ky sezon mund të marrë një kuptim tjetër për ne”, ka thënë tekniku australian.

I pyetur për ndjenjat e tij ndaj Liverpool, duke qenë se ka qenë tifoz i tyre në fëmijëri, Postecoglou ka thënë se tash ka tjetër moshë. “Jam thuajse gjashtëdhjetë vjeç, e kam kaluar kohën e ‘dashurive të fëmijërisë’. Nuk ka asnjë ndikim tani”, ka thënë ai. 

Go to TOP