Lushi: Ndalimi i Hashim Thaçit në varrimin e babait, gjunjëzim i Kosovës – Qeveria hesht përballë padrejtësisë

Veprimtari i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Sipas Lushit, ky akt është një poshtërim i shtetit të Kosovës dhe një dëshmi e mungesës së dinjitetit institucional.

Ai ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe partitë politike për heshtje dhe mosreagim, duke i quajtur “liderë të pakarakter dhe rrogëtarë të shtetit.” Sipas tij, ky veprim i Speciales dëshmon për denigrimin e institucioneve të Kosovës dhe pamundësinë e tyre për të garantuar kushtet e sigurisë për një të burgosur në një moment të tillë të ndjeshëm familjar.

“Kurrë nuk e kam parë popullin tim kaq të keqtrajtuar edhe pse kemi qenë nën pushtim për gati një shekull, por ne nuk e kemi pranuar me heshtje denigrimin,” ka shkruar Lushi duke bërë thirrje që institucionet të reagojnë dhe të distancohen nga ky vendim i Speciales.

Në fund, ai ka cituar Martin Luther King Jr.: “Padrejtësia ndaj njërit është padrejtësi ndaj të gjithëve” duke theksuar se ky vendim nuk është vetëm një goditje për Thaçin, por për mbarë Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP