Lushi: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është fituar nga mbrojtja, pritet lirimi në dhjetor

Aktivisti i çështjes kombëtare dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka deklaruar se procesi gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij në Hagë tashmë është fituar nga mbrojtja, pasi sipas tij, prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë asnjë nga pikat e aktakuzës.

“Gjykimi kundër Hashim Thaçit et al. është fituar informalisht dhe formalisht nga mbrojtja. Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë ASNJË pikë të aktakuzës. Çdo njeri i arsyeshëm e sheh këtë tashmë,” shkroi Lushi.

Ai theksoi se seanca përfundimtare e gjykimit pritet të zhvillohet në dhjetor 2025 dhe menjëherë pas saj, Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen për të pritur vendimin përfundimtar në liri.

“Nëse ata mbahen në burg edhe pas gjykimit deri në verdikt kjo do të ishte shkelje mizore dhe e përtej turpshme,” u shpreh Lushi duke shtuar se pret që ish-udhëheqësit e UÇK-së ta kalojnë Vitin e Ri 2026 në Prishtinë me familjet dhe popullin e tyre.

Ai përfundoi mesazhin e tij me fjalët: “President, mirëupafshim në këtë dhjetor në Prishtinë, me ty dhe shokët!”

Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të hyjë në fazën përfundimtare në fund të këtij viti. /Kosova.info/


Go to TOP