Lumnije Tufa-Mikullovci reagon ndaj shpifjeve për varrin e Adem Mikullovcit: Mjaft më, do shihemi në gjykatë

Lumnije Tufa-Mikullovci, bashkëshortja e aktorit të njohur dhe të ndjerë Adem Mikullovci, ka reaguar publikisht pas, siç i cilëson ajo, “shpifjeve të ulëta dhe përfoljeve të turpshme” që kanë qarkulluar në disa portale lidhur me varrin e bashkëshortit të saj dhe së fundmi edhe me varrin e aktores legjendare Leze Qena-Spaqi.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë publike, ajo shpreh keqardhjen për nivelin e ulët të spekulimeve që, sipas saj, kanë kapërcyer çdo normë etike dhe njerëzore. “Të përflitet një njeri i vdekur pas katër vitesh, të gjykohet familja mbi bazën e një varri, është jo vetëm turp, por një shkelje e rëndë e etikës njerëzore dhe gazetareske,” shkruan ajo.

Tufa-Mikullovci thekson se nuk ka ndjerë kurrë detyrimin të japë sqarime për publikun mbi çështje kaq personale si varri i të ndjerit, por se është e detyruar ta bëjë këtë, pasi shpifjet janë përsëritur vazhdimisht. “Varri i Adem Mikullovcit është i rregulluar me respekt dhe dinjitet. Çfarëdo tjetër që lexoni për këtë temë është thjesht shpifje e pashembullt.”

Ajo i bën thirrje portaleve të ndalojnë së përdoruri emrin e të ndjerit në mënyrë spekulative dhe paralajmëron se në rast të shpifjeve të mëtejshme, do të ndërmerren masa ligjore. “Lëreni të vdekurit në paqe. Nëse vazhdoni me shpifje dhe publikime të rreme, do të përballeni me padi penale për dëmtim të reputacionit të familjes së Adem Mikullovcit dhe Leze Qena-Spaqi.”

Duke përmbyllur reagimin e saj, Tufa-Mikullovci thekson se heshtja e saj deri më tani ka qenë shenjë dinjiteti, jo dobësie: “Nuk kam dëshirë të arsyetohem, sepse nuk kam bërë asgjë për të cilën duhet të kërkoj ndjesë. Por kjo heshtje që kam mbajtur për vite, s’do të thotë se kam qenë e dobët – do të thotë se kam pasur dinjitet. Tani mjaft më. Mirupafshim në gjykatë.” /Kosova.info/


Go to TOP