Loshi në mbrojtje të Matoshit: Sulmet ndaj tij janë të padrejta dhe të rrezikshme për shoqërinë
Publicisti dhe ish-redaktori i gazetës “Bota e Re”, Liri Loshi, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve që, sipas tij, militantët e Vetëvendosjes po i bëjnë opinionistit Halil Matoshi.
Në një shkrim të gjatë, Loshi rikujton fillimet e Matoshit në gazetari duke e cilësuar atë si një intelektual të shquar dhe një figurë të drejtë e patriotike. Ai shpreh shqetësimin për tendencën e sulmeve ndaj mendimit ndryshe dhe akuzon individë të afërt me VV-në për përdorimin e metodave manipulatore për të diskredituar Matoshin.
“Halil Matoshi ka të drejtën e tij të japë opinione bazuar në realitetin që ai sheh dhe argumentet që sjell. Në një shoqëri të lirë nuk mund t’ia bëjmë gjyqin tjetrit për mënyrën e të menduarit,” thekson Loshi.
Ai e krahason mënyrën e sulmit ndaj Matoshit me manipulimin e fjalëve të kryeministrit Albin Kurti, kur një deklaratë e tij për krimet serbe u shtrembërua për të tingëlluar sikur ai po akuzonte UÇK-në.
Loshi apelon për tolerancë dhe respekt ndaj mendimit ndryshe duke theksuar se një opinionist nuk mund të ketë ndikimin e një kryeministri dhe se përparimi i shoqërisë vjen përmes debatit të hapur, e jo përmes sulmeve dhe manipulimeve. /Kosova.info/
