Lojë e pasinqertë me ‘Byronë Shtetërore’!

Shkruan: Florim ZEQA

Sistemi i drejtësisë i kapur nga bandat politike, është i ngufatur dhe i shtrirë për tokë nga nepotizmi, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Flitet për Vetting-un si instrument për pastrimin e sistemit të drejtësisë, por shtrohet pyetja logjike, kush ta pastrojë atë?!

Nga patundshmëria tek ‘Parajsat Fiskale’

Politikanët e pasluftës, e në veçanti këta të pas pavarësisë së 17 shkurtit 2008, me të marr pushtetin e instaluan rrjetin e hajnisë, si në pushtetin lokal dhe atë qendror, ndërtuan vila dhe shtëpi luksoze, uzurpuan dhe përvetësuan prona publike dhe shtetërore përmes të ashtuquajturit ‘proces i privatizimit’ nga i cili u pasuruan më shumë se që e kishin menduar.

Paratë e vjedhura dhe të përvetësuara përmes aferave korruptive i nxorën jashtë shtetit dhe i dërguan në ‘Parajsat Fiskale’, por nuk munden edhe patundshmëritë! Mirëpo, edhe për ketë u përkujdesen duke i regjistruar si prona të familjarëve dhe farefisit të gjerë, duke siguruar pasuri së paku edhe për 4-5 breza pasardhësish të tyre.

Si rezultat i kësaj disa prej milionerëve pas deklarimit të pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsionit (AKK) na dalin më të varfër se askush tjetër, me borxhe dhe kredi bankare, me banesa të vogla me qira!

“Varfanjakët” multimilionerë bëjnë jetë sheikësh kundrejt një popullate të varfër

Kosova është e vogël, sado që mundohen të fshehin pasuritë e tyre nuk munden për arsye se secili njihet mirë në rrethin ku jeton. Dihen mirë pasuritë dhe gjendja e mjerë ekonomike para lufte e politikanëve të pasuruar pas lufte.

Në prokuroritë e Kosovës dosjet presin prej vitesh në sirtarët e drejtësisë, kurse prokurorët flenë mbi dosjet e krimit të organizuar, duke ua bërë avokatinë dhe mbrojtjen të inkriminuarve në krim të organizuar.

Me qindra dosje voluminoze të nivelit të lartë janë të fshehura që nga koha e UNMIK-ut, EULEX-it në raftet e prokurorive, përkatësisht në sirtarët e Prokurorive Themelore (PTHK) dhe të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Dosjet e fshehura, “gogol” i shantazhit politik

Dosjet e fshehura përdoren si “gogol” për të shantazhuar figurat e larta politike apo ‘peshqit e mëdhenj’ në të dyja nivelet e qeverisjes bashkë me nëntokat partiake, për të mos u zbardhur asnjëherë e vërteta e tyre.

Figurat e larta politike në pushtet dhe opozitë, rastet e “fshehura” të aferave korruptive qindra milionëshe i përdorin si shantazh kundër njëri-tjetrit, me qëllim të mbajtjes, përkatësisht të marrjes së pushtetit.

Dikush mund të mos pajtohet me konstatimin tim, por përmes riciklimit të figurave politike nga njëra parti tek tjetra, nga njëra qeveri tek tjetra ka ndodhur bartja e sindromit korruptiv dhe kriminal edhe tek qeveria aktuale.

E njëjta formë e riciklimit ka ndodhur edhe në sistemin e drejtësisë, ku të njëjtin njerëz në mënyrë ciklike janë zgjedhur në KPK, KGJK, PSRK dhe institucionet e tjera brenda sistemit të drejtësisë, duke mos lejuar freskimin e sistemit të drejtësisë me kuadro të reja!

Nuk ka si të jetë ndryshe kur disa politikan (e) kanë hedhur ‘valle’ nëpër të gjitha partitë dhe u ngritën në karrierë politike me paratë e krimit të organizuar, për të përfunduar në qeverisjen aktuale, e cila nuk mund të jetë aspak e ‘virgjër’ me figura të ricikluara nga njëra aferë korruptive në tjetrën!

Kjo është edhe arsyeja, pse disa nga figurat e larta të pushtetit aktual nuk janë në gjendje t’u shkojnë deri në fund akuzave për korrupsion ndaj profilit të lartë të opozitës, pasi deri dje ishin pjesë përbërëse e tyre.

Për këtë arsye, Vetting-u me këtë klasë politike është i pamundur për shkak të bashkëjetesës së gjatë dhe lidhjeve që kanë me korrupsionin dhe krimin e organizuar!

Mosvotimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme edhe nga radhët e deputetëve të pozitës e dëshmon katërçipërisht konstatimin tim. Nga 61 deputetë sa ishin në Kuvend, pro projektligjit votuan vetëm 45 deputetë, teksa opozita qe ajo që kërkonte tërheqjen e këtij projektligji.

Mosdekretimi i kryeprokurorit të ri të shtetit nga presidentja dhe rënia e pozitës në 45 vota pro projektligjit për Vetting-un, përveçse alarm i kuq për vendin, mund të jetë fillimi i (vetë) rënies së ‘Qeverisë Kurti 2’, e cila do të ishte befasia më e madhe, e pa pritur dhe pa dëgjuar për një pushtet me legjitimitetin më të lartë qytetar!

Vetëm një alternativë e re politike me njerëz të ndershëm dhe atdhetar të devotshëm do t’i hapte rrugën e sigurt Vetting-ut dhe Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe do t’i kthente shpresën dhe dinjitetin njerëzorë dhe kombëtar qytetarëve të Kosovës.

Go to TOP