Lidhjet e Shkurtra të LDK-së me Biznese Selektive
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Po komentohet ‘aderimi’ i fundit në LDK nga Suhareka. Dyshohet se ka një lidhje mes personit që u rikthye në parti, por edhe një kontrate të Prishtinës në shesh. Disa thonë që personi që aderoi ka njëfarë lidhje me tenderin 18 milionësh në Prishtinë.
Në parim, të gjithë duhemi me i përkrahë maksimalisht bizneset tona. Kjo është puna jonë primare. Ata janë motori i ekonomisë, nuk ka zhvillim, mirëqenie, e as shtet e siguri kombëtare, përfshi shërbime cilësore publike, pa biznese të forta.
Po LDK ka raste që dyshohet se i kalon vijat e kuqe. Ky rast i fundit është njëri prej tyre. Po, legalisht ndoshta është edhe në rregull. Por etikisht nuk është. Edhe në rastin e propozimit të ndërrimit të pronave (Badovc–Prishtina e Re) me ish-kompaninë që ka bashkëpunu kryetari aktual, ka qenë një diskutim që ‘është legale, është sipas ligjit’. Edhe mundet me qenë ashtu. Edhe rasti i fundit mundet me qenë në rregull me ligj, po nuk është me moralin dhe etikën politike ose edhe etikën e shërbimit publik.
LDK duhet me i mendu këto situata. Ata munden me i fitu disa vota më shumë në Suharekë, por e humbin kredibilitetin e tyre. Duhet me qenë e kundërta. Duhet me ruajt kredibilitetin edhe nëse nuk i fiton votat menjëherë.
Po këtë javë, në një situatë tjetër, LDK u përpoq maksimalisht me ju ndihmu bizneseve, pa dallim, rreth krizës me energji. Ajo ishte një veprim i partisë së djathtë ku angazhohesh për të drejtat e bizneseve dhe kushteve më të mira. Problemi është kur ti e përkrah një biznes selektivisht. Aty kalohen vijat e kuqe. Partitë politike duhet me i përkrahë të gjitha bizneset njësoj dhe me kriju kushte dhe mundësi të barabarta. Të gjithë duhet me përfitu njësoj.
Lidhjet direkte të LDK-së me biznese selektive duhet me u kritiku dhe rishiku si politika partiake. Ndoshta kjo është edhe një ndër sfidat më të mëdha të partisë në vitet e ardhshme. Partia duhet me siguru INTEGRITET maksimal, dhe kjo është siguresa kryesore që mundëson rritjen e partisë.
Nëse këto dyshime vazhdojnë me qëndru në supet e partisë, ajo do ta humbë kredibilitetin dhe rritja eventuale e shpejtë mundet me u kthy në humbje afatgjatë.
Nuk është vetëm ligji, por morali dhe etika, sidomos kredibiliteti. Ligjet edhe i ndryshojmë e i modifikojmë, por kredibiliteti kur lëndohet e humbet, vështirë rikuperohet.
