LDK tregon pse nuk votuan rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka treguar arsyet e përmbajtjes nga votimi për rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se mos përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ka bërë që të mos marrin pjesë në votim.
Lushaku: Jemi rezervuar nga votimi i rezolutës
“Kemi ardhur në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ për këtë rezolutë… Meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amendament, ne jemi rezervuar nga votimi. E ndjeva përgjegjësi për ta bërë këtë sqarim publik”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili propozoi rezolutën, tha se miratimi i saj është një hap politik i rëndësishëm për ta kthyer në binarë procesin në Hagë.
Gruda: Rezoluta, një hap për ta kthyer procesin në binarë
“Është një moment politik për të cilin jemi të lumtur që kemi pasur një konsensus kaq të madh. Është një hap i rëndësishëm për ta kthyer procesin në binarë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Derisa LDK nuk mori pjesë, rezoluta kaloi me 90 vota për, një kundër nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci dhe asnjë abstenim.
