LDK refuzon shqyrtimin e Buxhetit 2026, Abdixhiku kërkon më shumë kohë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar që sot në Kuvend të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2026, me arsyetimin se për këtë projektligj do të duhej të shmangen afatet procedurale.
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Ligji për Buxhetin nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë dhe se, në mungesë mirëkuptimi, LDK nuk do ta votojë.
Ai shtoi se në këtë situatë do të duhej të ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Padyshim, është e rëndësishme të jetë zoti i shpisë këtu, kryeministri i Kosovës. Le të vjen, ta diskutojmë. Merreni me seriozitet. Nëse s’kemi mirëkuptim, LDK nuk do të votojë për në këtë drejtim”.
Abdixhiku ka kritikuar procedurën e ndjekur për Projektbuxhetin e vitit 2026, i cili sot ishte paraparë të hidhej në votim për lexim të parë, duke thënë se nuk është serioze që deputetëve t’u jepen vetëm tri orë kohë për ta rishikuar një dokument kaq të rëndësishëm.
“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme (të Kurtit) që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që ta trajtojë me më shumë seriozitet dokumentin financiar, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim dhe praninë e kryeministrit.
“Bëhuni më serioz. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin qe sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Është mirë me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri. Merreni me seriozitet. Katër ministri është dashur të dalin këtu se ky buxhet nuk është në rregull”, u shpreh ai.
