LDK në Junik: Fushata shpifëse e AAK-së pas humbjes në zgjedhje – qytetarët e Junikut nuk blihen e as nuk mashtrohen

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Junik, ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këtë komunë duke i cilësuar ato si shpifje dhe akuza të pabazuara që kanë për qëllim të njollosin procesin demokratik të zgjedhjeve të 12 tetorit.

Në komunikatë thuhet se procesi zgjedhor në Junik është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente, ndërsa rezultatet preliminare të KQZ-së e rendisin LDK-në si partinë e parë. LDK deklaron se është në pritje të numërimit të votave të mërgatës, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta duke theksuar bindjen se fitorja do të konfirmohet edhe zyrtarisht, pa balotazh.

Sipas LDK-së, për shkak të humbjes, AAK në Junik ka nisur një fushatë të organizuar shpifjesh për të arsyetuar rezultatin e dobët dhe për të hedhur hije dyshimi mbi procesin zgjedhor. Në thelb, akuzat e AAK-së lidhen me “shtimin e 300 votuesve të rinj” dhe “pjesëmarrjen në votime të personave me mbiemra që, sipas tyre, nuk janë të Junikut”.

LDK sqaron se shtimi i votuesve është fenomen i përgjithshëm në të gjitha komunat e Kosovës duke sjellë si shembull rritjen e numrit të votuesve në Deçan, Gjakovë e në nivel vendi. Kjo rritje, sipas partisë, vjen si rezultat i përditësimit të të dhënave në platformën e-Kosova nga qytetarët, pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në korrik 2025, si dhe për shkak të votuesve të rinj që mbushin moshën 18 vjeç.

Në komunikatë theksohet se ndryshimet e vendbanimit dhe vendvotimit janë kompetencë e Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) dhe jo e komunave apo partive politike. “Akuzat e AAK-së ndaj LDK-së janë të pabazuara dhe të palogjikshme,” thuhet në njoftim.

LDK përmend edhe shembullin e kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit votoi në Deçan pasi kishte ndryshuar vendbanimin nga Graçanica duke theksuar se një veprim i tillë është tërësisht ligjor.

Sa i përket pretendimeve për “mbiemra të huaj”, LDK thekson se vota është e fshehtë dhe asnjë parti nuk ka qasje në listat e personave që kanë votuar duke ngritur dyshime se si AAK ka siguruar informacionet përkatëse. “Kjo përbën çështje që meriton hetim penal, e jo shpifjet që po përhapin ata,” thuhet në reagim.

LDK ka publikuar edhe një listë mbiemrash të qytetarëve që jetojnë në Junik prej pasluftës e që padrejtësisht janë etiketuar si “të huaj” duke theksuar se ata janë banorë dhe taksapagues të rregullt të komunës.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se AAK ka dorëzuar ankesë në PZAP më 14 tetor, e cila është hedhur poshtë si e palejuar me vendimin ZL.Anr.217/2025, pasi lista e votuesve ishte e përcaktuar para fillimit të fushatës dhe e hapur për verifikim nga të gjitha partitë.

LDK kujton se AAK kishte festuar pas mbylljes së votimeve duke menduar se kishte fituar, por “rezultatet e vërteta treguan se junikasit as nuk blihen, as nuk frikohen, as nuk mashtrohen”.

Në fund, LDK në Junik thekson se pret me qetësi certifikimin zyrtar të rezultateve nga KQZ dhe konfirmimin e fitores.

“Ftojmë qytetarët të mos ndikohen nga provokimet dhe shpifjet e AAK-së. Juniku është një vend i bukur, me potencial të madh dhe mikpritës për të gjithë, pavarësisht mbiemrit apo origjinës së tyre,” përfundon komunikata. /Kosova.info/


Go to TOP