LDK me vetëm 1% të shkeljeve në raportin e D4D

Donat Lushaku, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D), ku u publikua raporti i monitorimit të Kodit të Mirësjelljes për zgjedhjet lokale 2025.

Sipas raportit, në 14 komuna të vendit janë identifikuar gjithsej 152 shkelje të Kodit të Mirësjelljes, me pjesën më të madhe të tyre që lidhen me gjuhën e urrejtjes në rrjetin social Facebook.

Lushaku theksoi se LDK ka dalë bindshëm si subjekti më etik në komunikim publik, me vetëm 2 raste shkeljesh, që në përqindje përbëjnë vetëm 1% të totalit. Ai u shpreh se ky rezultat tregon nivel të lartë të kulturës politike të LDK-së, jo vetëm në mënyrën e komunikimit, por edhe në mënyrën e zhvillimit të fushatës zgjedhore pa përdorim të gjuhës së urrejtjes.

“LDK dëshmon se fushata mund të zhvillohet me dinjitet, pa cenim të etikës dhe pa nxitje të urrejtjes,” deklaroi Lushaku duke shtuar se ky standard duhet të jetë shembull për të gjitha subjektet politike në vend. /Kosova.info/


Go to TOP