LDK: Ekspozita për luftën skandaloze, devijon nga e vërteta historike
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së fundit për luftën në Kosovë duke e cilësuar përmbajtjen e saj si “skandaloze dhe thellësisht të papranueshme”.
Sipas LDK-së, kjo ekspozitë përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre. Në reagim theksohet se lufta e Kosovës nuk mund të jetë objekt relativizimi apo interpretimesh që, sipas tyre, deformojnë realitetin e dokumentuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Partia opozitare ka ngritur shqetësim të veçantë për faktin se ekspozita është financuar dhe promovuar nga Kuvendi i Kosovës duke e cilësuar këtë si dështim serioz institucional. Sipas tyre, shteti nuk duhet të mbështesë narrativa që bien ndesh me të vërtetën e luftës dhe me dinjitetin e qytetarëve.
LDK ka shprehur mbështetje për angazhimin e Prokuroria Speciale e Kosovës duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
Po ashtu, kjo parti ka kërkuar përgjegjësi publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin dhe promovimin e ekspozitës, si dhe një kërkimfalje të qartë ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve.
Në fund, LDK thekson se trajtimi i temave të tilla kërkon standarde të larta profesionale dhe përgjegjësi institucionale duke shtuar se mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave mbetet detyrim themelor i shtetit. /Kosova.info/
