LBK pret nesër Përparim Ramën për prezantimin e planit zhvillimor për Prishtinën

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka njoftuar se nesër, më 5 nëntor 2025, në ora 13:30, në ambientet e saj në Prishtinë, do të mbahet një takim me Kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës dhe kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një mandat të dytë, z. Përparim Rama.

Ky takim do të shërbejë për prezantimin e planit zhvillimor të z. Rama për katërvjeçarin e ardhshëm, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik të kryeqytetit, përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe rritjen e përfshirjes së sektorit privat në proceset vendimmarrëse lokale.

LBK thekson se mbetet e hapur dhe e gatshme të mirëpresë edhe kandidatët e tjerë për kryetar të Komunës së Prishtinës, në mënyrë që çdo vizion dhe program për zhvillimin ekonomik të qytetit të prezantohet para komunitetit të bizneseve.

“Qëllimi ynë është i qartë: të sigurojmë që zëri i bizneseve të dëgjohet dhe që vendimmarrja lokale të bazohet në një dialog të hapur, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me komunitetin ekonomik të Prishtinës,” thuhet në njoftimin e LBK-së.

Takimi do të mbahet në zyrat e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, në rrugën “Agim Ramadani”, në Aktash, pranë semaforëve afër Ministrisë së Arsimit. /Kosova.info/


Go to TOP