LBK dhe Komuna e Podujevës Nënshkruajnë Memorandum për forcimin e bashkëpunimit ekonomik
Në Podujevë, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpetim Bulliqi, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të një marrëdhënieje të qëndrueshme mes dy institucioneve.
“Memorandumi synon krijimin e një platforme për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konkret mes Komunës dhe komunitetit të biznesit, me fokus të veçantë në promovimin e prodhimeve vendore, turizmit, lehtësimin e procedurave administrative për bizneset dhe përmirësimin e klimës së investimeve. Objektivat kryesore përfshijnë promovimin e transparencës në proceset vendimmarrëse komunale, avokimin për nisma ligjore që adresojnë sfidat e komunitetit të biznesit, dhe koordinimin në zhvillimin e politikave për rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve”, thuhet në njoftim.
Gjatë nënshkrimit, Kryetarët Dreshaj dhe Bulliqi theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi të përhershëm, duke shprehur përkushtimin e tyre për të bashkërenduar aktivitetet në fushën e zhvillimit ekonomik të komunës, për të mirën e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Ky Memorandum shënon një fillim të ri në angazhimet e përbashkëta për përmirësimin e mjedisit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Podujevë. /Kosova.info/