Lavrov pro “Ballkanit të Hapur”, Abazi: A do të thotë kjo se kushdo që mbështet këtë nismë mbështet edhe shkatërrimin e Ukrainës?

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka reaguar sot lidhur me përkrahjen që i ka dhënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov iniciativës “Ballkani i Hapur”, e për të cilën tha se është nismë e Beogradit.

Abazi në një postim në Twitter shkruan se meqenëse Lavrov e mbështetë “Open Balkan”, ndërkohë që shkatërron Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet këtë nismë e mbështetë po ashtu edhe shkatërrimin e Ukrainës.

“Kur Lavrov mbështet konkretisht ‘Open Balkan’, ndërkohë që po shkatërron hapur Ukrainën, a do të thotë kjo se kushdo që mbështet Open Balkan po mbështet gjithashtu shkatërrimin e Ukrainës! Dhe çfarë është në të vërtetë Ballkani i Hapur?”, shkruan Abazi.


Ndryshe, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është nismë e Beogradit.

Siç raportuan mediat serbe Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.

Më 7 dhe 8 qershor në Ohër të Maqedonisë do të mbahet takimi i radhës i “Open Balkan”. 

Go to TOP