Lame: 12 1ershori të nderohet nga gjithë kombi shqiptar si Dita e Çlirimit
Në një emision special në Radio Televizionin e Kosovës, me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Gjeneral Kudsi Lame, komandant legjendar i Ushtrisë Shqiptare në zonën e Kukësit dhe simbol i mbështetjes së pandalshme nga Shqipëria, përcolli një mesazh të fuqishëm për rëndësinë kombëtare të kësaj dite.
“Urime Televizionit të Kosovës që, më në fund, dëgjova të thuhet se sot, më 12 qershor, është Dita e Çlirimit. Ju uroj sinqerisht nga zemra që, mbi politikat, arritët ta përcaktoni këtë datë si Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe si të tillë ta nderoni në të gjitha hapësirat e Kosovës dhe nga gjithë kombi shqiptar,” deklaroi Gjeneral Lame.
Ai theksoi se më 12 qershor forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zbritën nga malet në qytete dhe qendra të banuara, duke projektuar një drejtim të ri për të ardhmen e shqiptarëve në këto troje dhe të gjithë kombit.
“Për mua nuk ka pasur dy ushtri, ka qenë një Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Të gjithë të tjerët kanë qenë ndihmës ose pjesë e saj në një mënyrë apo tjetër. Sepse, nëse do të ecej me dy ushtri, shumë gjëra do të kishin ecur për keq. Kosova është vazhdimësi e tokave shqiptare dhe, si e tillë, ka qenë në gjirin e Shqipërisë, në prehrin e saj,” tha Gjeneral Lame.
Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjesht një forcë e brendshme: “Ishte një ushtri çlirimtare që kishte shtrirë degët e saj në të gjithë globin, jo vetëm në Shqipëri, por në Shqipëri kishte bazën, prehrin, djepin ku do të lëkundej, do të përkundej, do të rritej, do të merrte frymë, do të organizohej, do të furnizohej dhe do të përgatitej për të shkuar në vijat e frontit.”
Gjenerali Lame u shpreh me bindje se Dita e Çlirimit duhet të njihet dhe të nderohet zyrtarisht, jo vetëm si një datë historike për Kosovën, por si një moment kyç i përbashkët për gjithë kombin shqiptar.
Lame: Kosova dhe Shqipëria i kanë mbetur borxh Divizionit të Kukësit
Gjeneral Kudsi Lame theksoi se Kosova dhe Shqipëria i kanë mbetur borxh Divizionit të Kukësit, i cili luajti një rol jetik në ndihmën ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
“Kosova dhe Shqipëria i kanë ngelur borxh Divizionit të Kukësit. Të gjithë luftëtarët e atij divizioni nuk janë sot veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nuk janë as veteranë të ushtrive çlirimtare të Shqipërisë ndër vite. Janë thjesht luftëtarë që kanë luftuar – por kanë luftuar në një luftë që, siç është deklaruar atëherë nga instancat shtetërore të Shqipërisë, nuk na ishte shpallur nga Millosheviqi. Pavarësisht se ishte luftë, shteti shqiptar thoshte se ajo nuk ishte shpallur për ne – ky ishte justifikimi,” deklaroi Lame.
Gjenerali theksoi se nuk e ndien veten si ndihmës nga përtej kufirit, por si pjesë e drejtpërdrejtë e luftës:
“Unë nuk ndihem as sot një pjesë ndihmëse përtej kufirit, por ndihem si pjesë e asaj lufte, sepse realisht ashtu ka qenë. Ashtu kam funksionuar. Nuk mund të funksiononte ndryshe.”
