Lajçaku paralajmëron takim me Bislimin për dinarin

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve që ka zhvilluar javën që lamë pas.

Në një postim në Facebook, Miroslav Lajçak, ka treguar se ka qenë pjesëmarrës në Forumin e Diplomacisë së Antalias në Turqi, si dhe një vizitë në qytetin belg Bryzh, ku thotë të ketë mbajtur një ligjëratë me diplomatët e rinj për përvojën e tij aktuale dhe të kaluar si Përfaqësues Special i BE-së.

Por, Lajçaku thotë se çështja kryesore për të ka qenë ajo në Bruksel javën e kaluar, gjegjësisht takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, “për gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e hapura për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme – më konkretisht çështjen e ndihmës së Serbisë për njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

Me këtë rast, ai ka paralajmëruar një takim me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili pati refuzuar shkuarjen në Bruksel për të biseduar për valutën serbe.

“Përshëndeta angazhimin e të dy delegacioneve për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për komunitetet e prekura. Takimi ishte një hap i parë i rëndësishëm; megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim”.

“Për këtë arsye, si hap të menjëhershëm të ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe kryenegociatorin, Besnik Bislimi”, potencoi Lajçaku në fund të këtij postimi.

Javën që lamë pas, Kosova dhe Serbia u takuan në Bruksel për të folur mbi çështjen e dinarit. Kosova në këtë takim u përfaqësua nga një delegacion i BQK-së.

Go to TOP