Lajçak takon Petkoviqin, konfirmon se dialogu s’është ndërprerë

Pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do të ketë më dialog me Kosovën për shkak të një vendimi për reciprocitet nga qeveria kosovare, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që ka pasë me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se dialogu është në proces.

“Këtë mëngjes, në takimin me shefin e negociatave, Petar Petkoviq, vazhduam bisedën se cilët hapa janë të nevojshëm tani për dialogun”, ka shkruar Lajçak në Twitter, derisa është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Beograd pas vizitës që pati në Prishtinë.

Vuçiq dje në një konferencë për media reagoi ashpër pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për reciprocitet në targa dhe dokumente të serbëve që hynë në Kosovë.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë. Kosova dhe Perëndimi duan t’i bindin serbët që të regjistrohen me targat RKS. Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, ka thënë Vuçiq. 

Go to TOP