Lahu: Kosova duhet ta ketë ligjin për lustracion

Rreziku nga shërbimet serbo-ruse ishte tema për të cilën në ‘Lajmet e Fundit” në RTK, ka folur deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Vendenis Lahu.

Lahu ka thënë se është e domosdoshme që Kosova ta ketë ligjin për lustracion, në mënyrë që ta ketë një pasqyrë të qartë të personave që punojnë në institucionet e vendit.

Duke folur për zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me arrestimet e javës së kaluar të dy personave që pretendohet se janë bashkëpunëtor  të BIA-s serbe, Lahu tha se po të jetë ashtu si dyshohen këta të arrestuar sigurisht që cenohet rendi kushtetues dhe siguria në vend.

Ai tha duke e parë të gjitha këto që po ndodhin në Kosobvë shtrohet nevoja që ta kemi edhe ligjin e lustracionit në mënyrë që në Kosovë të ketë një pasqyrë të saktë të atyre që punojnë në institucione, sepse siç tha Lahu, Kosova rrethohet edhe nga shtete të cilat nuk ia donë të mirën Kosovës.

“Arrestimi dhe ekspozimi i dy personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe është e befasishme duke i parë rrethanat që ka kaluar Kosova nga një shtet armik për organet e rendit nuk duhet të ketë befasi. Ato duhet të jenë vigjilente dhe të jenë në krye të detyrës”, tha Lahu duke shtuar se duhet të shihet më tutje se çfarë do të bëjnë institucionet e drejtësisë.

Ai tha se Serbia veprimtarinë ndaj Kosovës nuk e ka ndalur dhe nuk do ta ndal duke i përdorë edhe serbët e Kosovës por edhe shqiptarët, gjithnjë për ta realizuar politikën e vetë e që ka të bëjë me destabilizimin e Kosovës.

Go to TOP