Kushtetuesja vendos në favor të KCSF-së: Kishte shkelje gjatë procesit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI266/24, duke konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti ishte iniciuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një aktvendimi të Gjykatës Komerciale. Në vendimin e saj, Kushtetuesja njëzëri e shpalli kërkesën të pranueshme dhe vlerësoi se në këtë rast është shkelur neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata po ashtu konstatoi se vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës i vitit 2018 ka karakter detyrues dhe të formës së prerë (res judicata), duke theksuar se ai duhet të mbetet në fuqi.
Në këtë kontekst, Kushtetuesja shpalli të pavlefshme disa vendime të gjykatave të rregullta, përfshirë urdhrin përmbarimor të vitit 2017, si dhe aktvendimet e Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës së Apelit.
Sipas aktgjykimit, thelbi i çështjes lidhej me një procedurë përmbarimore për ekzekutimin e një fature, për të cilën paraprakisht ishte zhvilluar procedurë arbitrazhi. Gjykata vlerësoi se çështja ishte vendosur tashmë me vendim të formës së prerë nga arbitrazhi dhe se rihapja e saj nga gjykatat e rregullta cenon parimin juridik “res judicata”.
Gjykata theksoi se në këtë rast nuk ekzistonin rrethana të justifikueshme për të devijuar nga ky parim, duke shtuar se procedura përmbarimore e iniciuar në këtë rast përbënte në thelb një “ankesë të maskuar” për rihapjen e një çështjeje tashmë të vendosur.
Në përfundim, Kushtetuesja konstatoi se ndërhyrja në një vendim të formës së prerë ka cenuar sigurinë juridike dhe të drejtën për një proces të rregullt, duke e bërë të qartë se vendimet e arbitrazhit duhet të respektohen nga gjykatat e rregullta. /Kosova.info/
