Kurti takon ambasadorin Orav: Integrimi evropian, konstituimi i Kuvendit dhe siguria në fokus

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav. 

Procesi i integrimit evropian dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së ishin tema të bisedës. Kryeministri theksoi përkushtimin e plotë të qeverisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe angazhimin në zbatimin e reformave. 

Në lidhje me aktualitetin në vend dhe interesimin e ambasadorit Orav, kryeministri theksoi rëndësinë e përmbylljes së hapave për konstituivin e Kuvendit, si domosdoshmëri për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe vazhdimit të punës së legjislativit ku presin miratim edhe marrëveshje ndërkombëtare kyçe për integrimin evropian të Kosovës si ajo në lidhje me Planin e Rritjes. 

Në vijim u diskutua dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rolit të BE-së si vazhdimësi e takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian në Shkup javën e kaluar. 

Temë e bisedës ishte edhe situata e sigurisë, ku kryeministri vlerësoi punën dhe angazhimin e institucioneve tona të sigurisë në përballjen me kërcënimet që vijnë nga shtete jo mike.


Go to TOP