Kurti takoi dhe vlerësoi punën e artistes Rudina Xhaferi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Rudina Xhaferin, artisten që punon në miniaturë. Ai tha se veprimtaria e Rudinës përfshin platformat e veçanta artistike.

“Ditën e djeshme e takova Rudina Xhaferin, artisten që punon në miniaturë, por efekti i punës së saj është larg nga miniatura.  Folëm për veprimtarinë e saj që përfshin platformat e veçanta artistike si pikturim në thonj, fotografi, video, performancë, skenografi në televizion dhe teatër, kostume dhe modë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në ‘Instagram.

Rudina ka mbajtur shumë ekspozita personale dhe kolektive në Kosovë. E diplomuar në Fakultetin e Arteve – Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës dhe mban një Master me një disertacion të titulluar Rudinizmi – Tipografia e Modës Urbane. Punoi në Radio Televizionin e Kosovës, si skenografe, 2003-2023, e ku në vitet 2011-2023 ishte përgjegjëse e departamentit të skenografisë, kostumeve dhe grimit.

Nga viti 2016 ligjëron në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2023 u pranua si profesoreshë e rregullt, në po të njëjtin fakultet. /Kosova.info/

Go to TOP