Kurti: Shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje, me SHBA-në jemi vazhdimisht në kontakt

“Shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje. Shtyrja mund të jetë një javë, muaj apo dy muaj”.

Kështu është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Samitit të Procesit të Berlinit, i pyetur nga gazetarët për kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e afatit të zbatimit të marrëveshjes për targat.

Ai, në anën tjetër, ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-në lidhur me targat, duke shtuar se kjo nuk nënkupton që kanë lënë anash shqetësimin e Washingtonit për sigurimin dhe paqën.

“Në këtë rast, ne nuk kemi bërë shtyrje, ne kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane dhe amerikane lidhurm e cënimin e paqës dhe sigurisë. Ne dëshirojmë edhe të mos bëjmë kompromis të zbatimit të ligjit, por njëkohësisht të mos cënojmë edhe paqën e sigurisë. Pra, e kemi bërë një lloj qasje të diferencuar dhe një sekuencim një zbatim që besojmë është rruga më e mirë dhe më e duhur përpara”, ka deklaruar Kurti.

“Me SHBA-në jemi në vazhdimisht në kontakt, sidomos me ambasadorin amerikan në vendin tonë. Nuk ka vendim i cili shkakton preokupim të paqes dhe sigurisë e për të cilin ne paraprakisht nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Natyrisht, nuk do të thotë se pajtohemi çdoherë e kudo, sepse qeveria jonë është e nivelit sovran. Nuk mund të thuhet se ka pasur kurrfarë shpërfillje ndaj brengave evropiane e amerikane”, ka thënë ndër të tjera i pari i Qeverisë kosovare.

Go to TOP