Kurti: `Rilindja` arkivë e çmuar e historiografisë shqiptare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar gazetën e përditshme `Rilindja`, duke e cilësuar atë si një arkivë të çmuar të historiografisë shqiptare dhe të zhvillimit të gjuhës shqipe.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se numrat e “Rilindjes” përgjatë më shumë se katër dekadave përfaqësojnë një pasuri të rëndësishme historike, e cila, sipas tij, ka pasur rol kyç në emancipimin shoqëror dhe kultivimin e shqipes së shkruar.

Ai ka theksuar se, së bashku me Universitetin e Prishtinës dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, përtej informimit, botimet e  Rilindjes ishin vetëdije profesionale e kombëtare dhe referencë që i mbijeton kohës.

“Për të kujtuar Rilindjen, si gazetë dhe shtëpi botuese, si dhe për të diskutuar rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike, sot, kur shënojmë 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, mirëprita në një takim të përzemërt e plot reflektime Binak Kelmendin, Ibrahim Kadriun, Evliana Beranin, Dush Gashin, Mehmet Gjatën dhe Emine Berishën, ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të Rilindjes”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Kosova.info/


Go to TOP