AKB dhe Oda e Përmbaruesve Privatë: Siguria juridike, kyçe për zhvillimin ekonomik dhe investimet në Kosovë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës kanë shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit institucional, me synim forcimin e sigurisë juridike dhe krijimin e një klime më të favorshme për bizneset dhe investitorët.

Në një takim zyrtar, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, priti kryetarin e Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Mehdi Reshani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Gjatë takimit u diskutua për efikasitetin e procedurave përmbarimore, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Shahini theksoi se siguria juridike është një nga shtyllat kryesore për një ekonomi të qëndrueshme dhe për tërheqjen e investimeve, duke nënvizuar se bizneset kanë nevojë për një sistem drejtësie dhe përmbarimi të besueshëm, efikas dhe të paanshëm.

Nga ana tjetër, Mehdi Reshani vlerësoi bashkëpunimin me AKB-në duke theksuar se përmbaruesit privatë luajnë rol të rëndësishëm në zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe garantimin e sundimit të ligjit. Sipas tij, bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është thelbësor për identifikimin e sfidave dhe përmirësimin e mekanizmave që i shërbejnë ekonomisë dhe qytetarëve.

Në përfundim të takimit, palët u dakorduan të intensifikojnë bashkëpunimin përmes organizimit të aktiviteteve dhe tryezave të përbashkëta profesionale, me synim avancimin e sigurisë juridike, rritjen e efikasitetit të sistemit të përmbarimit dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Republikën e Kosovës.

Go to TOP