Kurti: Plani ynë përfshin zhvillimin e Kosovës, drejtësinë dhe sigurinë

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me partnerët në koalicion, “Guxo” dhe “Alternativa”, në tubimin elektoral në Vushtrri tha se plani i tyre qeverisës përfshin zhvillimin, drejtësinë dhe sigurinë.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojnë në pranverë dhe rinovimi i stadiumit “Ferki Aliu” do të nisë gjatë vitit.

“Rruga që kishte mbetur e papërfunduar nga ish-qeveria që nga viti 2009, ku njerëzit kanë udhëtuar më shumë se një orë për të ardhur nga Prishtina në Mitrovicë, tani do të jetë e kalueshme për gjysmë ore.”

“E kemi ndarë 5 milionë euro, punimet do të nisin sivjet dhe do të përfundojnë gjatë mandatit tonë. Do ta keni stadiumin më modern”, deklaroi Kurti.

Ai premtoi edhe forcimin e ushtrisë së vendit.

“Ushtrinë e Kosovës e kemi forcuar me armatim nga Turqia, Amerika, Javelin, Bayraktar”, tha mes tjerash ai.

Në tubimin elektoral, Vetëvendosje me partnerët premtuan se do të vazhdojnë të mbështesin nenat lehona si dhe bujqit, dhe thanë se do të rrisin mbështetje për vajzat dhe gratë në edukim dhe punësim.


Go to TOP