Kurti në takim me ekipin e PITF, uron për punën e shkëlqyer në teatër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me ekipin e PITF – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, ku pjesëmarrës ishin profesor Zijad Mehiq, drejtor, Doruntina Alishiqi, drejtore artistike e Festivalit, asistentja Valentina Cenaj dhe Ilir Bytyçi shef i kabinetit të këshillit drejtues të AAB.

Mehiq dhe ekipi i tij shpalosën planet e reja të PITF dhe zhvillimet programore më të fundit.

Ekipi i PITF e njoftoi kryeministrin me programin e këtij viti, që shënon edicionin e tetë, e për të cilin kanë pranuar më shumë se 100 aplikime nga vende të ndryshme të botës.

Festivali do të shërbejë dhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë, njofton qeveria.

Kryeministri e uroi ekipin për punën e tyre të shkëlqyer. Përgjatë takimit u diskutua edhe rreth çështjeve të tjera zhvillimore të ndërlidhura me artin skenik në Kosovë, por edhe u përkujtua autori i mirënjohur nga Sarajeva, Abdulah Sidran, i cili ndërroi jetë para tri javëve.

PITF po inkurajon zhvillimin e Teatrit, ngritjen e kuadrove të reja skenike dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës në botë, duke e lartësuar kështu më shumë veprën dhe emrin “Burbuqe Berisha”, si në prej figurave të rëndësishme të artit skenik të cilën e humbëm në tetor të vitit 2021. /Kosova.info/

Go to TOP