Kurti me kërkesa për presidenten e KE-së, Von der Leyen
Qeveria e Kosovës ka dalë me komunikatë rreth takimit që ka pasur shefi në detyrë i ekzekutivit me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Kosovë, e pesta qysh nga viti 2021, e këtë Qeveria e Kosovës e ka quajtur dëshmi të marrëdhënieve të mira.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Presidentes von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, reformat dhe progresin tonë në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, Kurti ka ritheksuar nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.
Temë e këtij takimi ishin edhe zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e 12 tetorit, derisa ka theksuar rëndësinë e një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës
“Kryeministri foli edhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. Theksoi rëndësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se kryeministri në detyrë i ka dorëzuar mysafires së lartë tri letra zyrtare për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në.
“Në kuadër të iniciativës “Single Market Highëay”, kryeministri i dorëzoi Presidentes von der Leyen tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç, Bujqësi, Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industri të Mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi”, bëhet e ditur tutje nga Kryeministria.
Në përmbyllje, siç thuhet në njoftim, kryeministri në detyrë ka falënderuar presidenten e KE-së për udhëheqjen e saj të qëndrueshme dhe partneritetin e ngushtë me popullin e Kosovës dhe vëmendjen e shtuar të saj ndaj rajonit. /Kosova.info/
