Kurti e bën edhe këtë, merr merita për rënien e Qeverisë në Serbi

Kryeministri Albin Kurti, që po e kërkon edhe një mandat në Qeveri, në një tubim zgjedhor në Suharekë dje ka përmendur dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke i dhënë merita edhe vetes për rënien e tij.

Duke folur për dialogun e Brukselit, për të cilin tha se “kemi zhvilluar dialog fort të suksesshëm në Bruksel”, Kurti shtoi edhe që në krye me të në Qeverinë e Kosovës “kemi Serbi jostabile dhe Kosovë që po ngritët”.

“Atje në Bruksel vazhdimisht më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të mi, Mustafa e Thaçi, a marrëveshjen me mu ikin se s’dojnë me nënshkru”.

“Kur të gjithë ish-qeveritë po e zhvillon dialogun dikur në Bruksel kishim Serbi që forcohej e Kosovë jostabile që dobësohej, me qeverinë tonë dhe dialogun që udhëheqim ne, kemi Serbi jostabile dhe Kosovë që po ngritët e po forcohet”.

“Të gjithëve ju kujtohet, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi të zjarrtë e madhështor, se si dikur në Kosovë kryeministrat jepnin dorëheqje, e tash kryeministrat japin dorëheqje në Serbi”, tha Kurti.

Pas kësaj deklarate shumë mbështetës të tij u ngritën në këmbë me duartrokitje.

“Ajo çfarë e kemi parë të gjithë nga përvojat që korrupsioni brenda Kosovës dhe koncensionet jashtë ndaj Serbisë për dy dekada kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën”.

Kryeministri i Serbisë dje dha dorëheqjen pas valës së protestave që u përhapën në gjithë Serbinë, përfshirë edhe në Beograd, të cilat u nisën nga studentët dhe opozita atje për vdekjen e 15 personave nga një strehë e betonit në një stacion hekurudhor në Novi Sad. Ata fajësojnë për vdekjet në punimet e hekurudhës korrupsionin brenda pushtetit.

Vuçeviq kur ndodhi incidenti ka qenë kryetar i Novi Sadit.

Go to TOP