Kurti: E ardhmja e Telekomit është e sigurt
Telekomi i Kosovës ka përfunduar projektin “Modernizimi i plotë i rrjetit Vala”. Burbuqe Hana, kryeshefe ekzekutive e Telekomit të Kosovës ka thënë se përmes përmbylljes së këtij projekti, është rritur performanca e rrjetit vala.
Hana u shpreh se Kosova tani është lidere në rajon sa i përket implementimit të teknologjisë së avancuar.
“Projekti jashtëzakonisht kompleks u nis për përmirësime të domosdoshme të infrastrukturës teknologjike e cila ishte e vjetër dhe pa mirëmbajtje. Shqetësimi ynë ishte mundësia reale e kolapsit të infrastrukturës teknologjike. Pothuajse para dy viteve u nënshkrua marrëveshja për huamarrje mes Ministrisë së Financave dhe Telekomit si dhe kontrata për modernizimin e rrjetit. Ky aktivitet e vërtetoi se kur ekziston vullneti të gjitha mund të arrihen. Unë falënderoi konsumatorët që na qëndruan besnik atëherë kur shërbimi për shkak të teknologjisë nuk ishte cilësor. Projekti e ngrit në një nivel më të lartë arsyen e veprimtarisë së biznesit tonë. Kjo na bënë lider në rajon në implementimin e teknologjive më të avancuara. Shërbimet kanë kaluar në rrjete më të shpejta dhe më të avancuara në 4G, 4G plus dhe 5G”, ka theksuar ajo.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se e ardhmja e Telekomit është e sigurt.
“Një ndërmarrje e rimëkëmbur po modernizon rrjetin mobil me 5G e 4G plus duke dhënë shembull të mirë për vendin e rajonin. Kur kemi marrë detyrën e kemi bërë të qartë se do ta ndihmojmë Telekomin. Telekomi riktheu fitimin dhe nisi modernizimin e rrjetit mobil. Teknologjia e Valës ishte e stërvjetuar, e lënë pa mirëmbajtje për gati 8 vjet. Rrjeti mobil i Valës tani mbulon pothuajse gjithë vendin me 4G plus dhe mbi 65% për qind në tërë territorin e Kosovës shërbehet me 5G. E ardhmja e Telekomit është e sigurt. Vala është e gatshme të përkrah transformimin digjital”, ka theksuar kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja Artane Rizvanolli deklaroi se përkundër sfidave të shumta, Telekomi ka arritur të përparojë.
“Secilën herë Telekomi përparon dhe secilën herë përkundër vështirësive të ndryshme keni arritur të gjitha planet që i keni planifikuar katër vite më parë. Aty ku është cilësia e shërbimit, qytetarët e ndjejnë vetë”, ka thënë ajo.