“Kurti dhe Osmani duhet të tregojnë për pasojat e refuzimit të Asociacionit”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe tri shtete anëtare është raportuar se kanë kërkuar nga shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës (KiE) që të largojnë Kosovën nga agjenda për anëtarësim në këtë organizatë derisa të ndryshojë qasja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxheri tha se këto kushtëzime janë të zakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe sipas tij, nuk ekziston mundësia që dikush të bllokojë në procesi e më pas të mos sanksionohet.

Sipas tij Kosova ka marrë ndëshkime nga aleatët ndërkombëtarë për shkak të mungesës së bashkëpunimit për Asociacionin.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare presionet politike janë të zakonshme dhe realisht këto ndodhin vazhdimisht dhe do të thotë këto ndodhin vazhdimisht dhe për këtë arsye nuk duhet që të jenë të çuditshme presionet ndërkombëtare ndaj Kosovës, pasi çështja e Asociacionit dhe në përgjithësi çështja e dialogut është një çështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe gjitha këto investime që po bëhen në këtë drejtim nuk mund të bllokohen dhe pastaj bllokuesit të mos kenë ndonjë pasojë politike. Pra edhe presidenti serb Vuçiq i ka treguar kërcënimet dhe dëmet të cilat do të mund t’i kishte Serbia nëse nuk do ta pranonte planin franko-gjerman. Prandaj është që logjikshme që të njëjtat pika dhe kërcënime të iu janë bërë edhe kryeministrit Kurti, por ato në rastin e Kosovës nuk janë bëtë publike, gjë që nuk do të thotë se nuk ekzistojnë. Pra mund të supozohet se bllokimet e anëtarësimeve në institucionet ndërkombëtare dhe ngadalësimi edhe më i madh i rrugës evropiane të Kosovës do të mund të kenë qenë kërcënimet e aleatëve ndërkombëtarë ndaj lidershipit kosovar si një kundërpërgjigje për mungesën e një bashkëpunimi për çështjen e Asociacionit dhe të dialogut në përgjithësi”, tha Muhaxheri në një prononcim për Demokracia.com.

Ai tha më tej se Kurti dhe Osmani është dashur që të iu tregojnë qytetarëve edhe për pasojat që do t’i ketë Kosova në rast të refuzimit të Asociacionit.

“Asociacioni është një kërkesë e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme e Administratës Amerikane ndaj Kosovës edhe nëse lidershipi kosovar nuk tregohet bashkëpunuese atëherë gjithsesi që do të ketë sanksione politike në forma dhe lloje të ndryshme. Ideja kryesore është që të nxitet një lloj ndryshimi i qëndrimit nga Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, e që pastaj të shkohet në mënyrë zinxhirore edhe tek elementet e tjera drejtë arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë. Pasi që marrëveshja me Serbinë është qëllimi kryesor i aleatëve tanë dhe të gjitha investimet dhe insistimet të jashtëzakonshme po bëhen në këtë drejtim. Prandaj kushdo që e bllokon këtë plan gjeostrategjik dhe gjeopolitik gjithsesi do të ketë pasoja të mëdha politike dhe është mirë që presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti të tregohen transparent dhe të ua tregojnë qytetarëve të Kosovës edhe pasojat eventuale që do të mund të vijnë si rezultat i refuzimit të Asociacionit”, tha Muhaxheri.

Gjatë ditës së sotme në Ambasadën e Amerikane në Prishtinë është mbajtur një takim në lidhje me modalitetet për formimin e Asociacionit. Ndërsa një ditë më parë është Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti Evropian për Paqe, ka prezantuar një draft i statutit të Asociacionit.

Nënsekretari Derek Chollet dhe i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një shkrim të përbashkët kishin deklaruar se duhej të formohej Asociacioni, duke dhënë garanci që ai të ishte në përputhje me Kushtetutën.

Go to TOP