Kurti bashkëbisedoi me sipërmarrëse, profesioniste dhe akademike nga diaspora jonë në Zvicër

Pas takimeve bilaterale me përfaqësues shtetëror zviceranë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me gratë sipërmarrëse, profesioniste dhe akademike nga diaspora jonë në Zvicër, për të dëgjuar mbi historitë e tyre te suksesit, dhe për t’i njohur me zhvillimin e vendit dhe progresin e katër viteve të fundit. 

Kryeministri Kurti tha se Kosova është shtet që promovon lidere gra në sektorë të ndryshëm, përfshirë në biznes dhe ndërmarrësi. Ai u fokusua edhe në politikat gjithëpërfshirëse të ndërmarra gjatë mandatit tonë, të cilat kanë synim edhe arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, të cilat ishin dhe tema kryeqendër të bisedës. 

Theksoi se është rritur pjesëmarrja e grave në pozicione vendimmarrëse dhe administratë publike, ku 45.6% është niveli i përfaqësimit të grave në institucione publike, gjersa është përmirësuar dhe përfaqësimi në ndërmarrjet publike. 

Ndërkohë sa i përket aftësimit arsimor, profesional dhe punësimit, kryeministri tha se janë ndarë 4881 bursa për studentë në fushat STEM, ku prej tyre 4611 janë destinuar për studentet vajza, është arritur mbështetje direkte për punësimin e mbi 12 mijë grave, janë shtesat për lehona dhe fëmijë ku kemi mbi 62 mijë lehona përfituese gjersa për shtesat për fëmijë kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë. 

Shtoi se rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë falë këtyre masave. Gjithashtu përmes platformës Superpuna dhe skemës Kosovo Generation Unlimited ka vijuar të incentivohet punësimi i vajzave dhe grave, gjersa si qeveri kemi ndërmarrë dhe hapa për shëndetin dhe mbrojtjen e vajzave dhe grave. 

Kryeministri Kurti tha se mërgimtarët, përfshirë edhe gratë e suksesshme, mund të zgjerojnë veprimtaritë e tyre biznesore në Kosovë, duke shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga vetë shteti ynë, në mënyrë që përvoja e akumuluar jashtë vendit të jetë thelbësore për zhvillimin dhe avancimin e shtetit, duke ndërtuar ura të reja dhe fuqizuar brezat e rinj, për sigurimin e një të ardhme të qëndrueshme për vendin tonë. /Kosova.info/

Go to TOP