Kuleba takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i ka thënë të hënën ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba që Serbia është e përkushtuar për respektim të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të secilit vend anëtar të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën.

Kuleba është duke e vizituar Beogradin bashkë me Olena Zelenskan, gruan e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë ukrainas në Serbi, qysh prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kuleba është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe është planifikuar një takim me kryetaren e Kuvendit serb, Ana Bërnabiq.

Qeveria e Serbisë ka thënë se kryeministri Vuçeviq dhe ministri Kuleba kanë diskutuar për situatën aktuale në fushën e sigurisë dhe politikës në nivel global, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik në mes të të dyja vendeve.

“Ne jemi të hapur ndaj të gjitha çështjeve”, ka thënë kryeministri Vuçeviq dhe e ka falënderuar Kuleban që e ka përmendur ndihmën humanitare që Serbia e ka ndarë për popullin ukrainas.

Sipas Qeverisë serbe, Kuleba ka thënë se shkuarja e tij në Serbi përçon mesazh që ka hapësirë për t’i forcuar marrëdhëniet në mes të këtyre dy vendeve.

“Serbia dhe Ukraina kanë shumë dallime, por edhe shumë të përbashkëta, dhe kjo është arsyeja se mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët në shumë fusha”, është cituar të ketë thënë Kuleba.

Zelenska dhe Kuleba e kanë nisur vizitën në Serbi 10 ditë pas formimit të Qeverisë së re, pjesë e së cilës janë dy emra të afërt me Rusinë, për çka Beogradi është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

I pari është Aleksandar Vullin, zëvendëskryeministri pro-rus dhe ish-shefi i shërbimit të inteligjencës.

I dyti është Nenad Popoviq, ministër pa portofol, i cili ka lidhje politike dhe biznesore në Rusi.

Të dy janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me liderin ukrainas, Volodymyr Zelenky tri herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe hera e fundit ka qenë në shkurt, në Tiranë.

Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, që përfshin edhe Gadishullin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia më 2014.

Megjithatë, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të Brukselit, dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Prej vitit 2022, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë dhe është zotuar se do ta ndihmojë Kievin për t’u rindërtuar.

Go to TOP