Kuçi: 7 qershori mund t’i japë fund monizmit politik të Listës Serbe në Kosovë
Analisti politik Gurakuç Kuçi ka bërë thirrje që zgjedhjet e 7 qershorit të shënojnë fundin e dominimit politik të Listës Serbe brenda komunitetit serb në Kosovë duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt demokracisë dhe paqes.
Sipas tij, për vite me radhë komuniteti serb në Kosovë është mbajtur “peng” dhe është kolonizuar politikisht duke u nxitur që Republikën e Kosovës ta shohë si armike, pavarësisht se shteti u ofron siguri, mirëqenie dhe të drejta të garantuara.
Kuçi vlerësoi se beteja për demokraci brenda komunitetit serb është njëkohësisht betejë për liri dhe krijon kushtet për një të ardhme më paqësore. Ai theksoi se Lista Serbe ka synuar monizmin dhe kontrollin politik, ndërsa 7 qershori paraqet mundësinë që qytetarët serbë të mbështesin alternativa të tjera politike.
“Ky ndryshim nga monizmi drejt pluralizmit tregon se e ardhmja fiton mbi propagandën dhe se demokracia është rruga e duhur për komunitetin serb në Kosovë”, ka deklaruar Kuçi.
Ai u bëri thirrje votuesve serbë që të mbështesin subjekte të tjera politike duke përmendur partinë e Nenad Rashiqit dhe ekipin e tij, si alternativë ndaj Listës Serbe.
Në reagimin e tij, Kuçi kritikoi gjithashtu regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq duke pretenduar se qytetarët serbë në Kosovë nuk duhet të mbeten të varur nga politika që, sipas tij, nuk gëzon mbështetje të plotë as në vetë Serbinë.
“7 qershori duhet të jetë dita kur qytetarët serbë vendosin për të ardhmen e tyre dhe jo për interesat e klaneve që lidhen me krimin dhe terrorizmin”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
