OPINION

Ku ka zë nuk është pa gjë!

Shkruan: Florim ZEQA 
Sikurse që askush nuk mund ta mohoj helmimin e qytetarëve të Deçanit, nuk mund ta mohoj as mosinteresimin e kryeministrit Kurti për shëndetin e qytetarëve të vendit. Sikurse që janë të arsyeshme hipotezat e helmimit të rreth 1500 qytetarëve të Deçanit, të arsyeshme janë edhe hipotezat e qëndrimit të Albin Kurtit në Greqi!

Sikurse që është shqetësuese epidemia e ditëve të fundit në komunën e Deçanit, shqetësues është edhe injorimi që iu bëri kryeministri i vendit qytetarëve të helmuar. Vizita e gjatë, e pa certifikuar si zyrtare e Albin Kurtit në Greqi, me të drejtë ka hapur dilema të shumta, nëse kjo ishte vizitë zyrtare, private apo krejt diçka tjetër!

Sado që zyrtarët e LVV-së po mundohen ta arsyetojnë mungesën e Albin Kurtit, Greqia nuk është në tjetër kontinent dhe as tjetër planet, por vetëm disa qindra kilometra nga Kosova. Në kohën kur qytetarët e Deçanit u përballen me një helmim misterioz dhe të rrezikshëm, mosprezenca në vend e kryeministrit Albin Kurti është pak më tepër sesa papërgjegjësi shtetërore!

Helmimi misterioz në Deçan nuk është i rastësishëm dhe as nuk është i qëllimshëm, por mund të jetë pasojë e pakujdesisë njerëzore apo e keq-menaxhimit të resurseve ujore!

Analizat parciale dhe preliminare tregojnë se kemi të bëjmë me një infeksion bakterial e më pak viral, i ardhur si produkt i disa faktorëve të kombinuar!

T’i kthehemi edhe njëherë arsyetimeve të zyrtarëve të LVV-së për vizitën e Kurtit në Greqi. Disa thonë se ka shkuar për t’i siguruar Kosovës njohjen nga Greqia, sa të tjerë thonë se ndodhet në një ‘samit njëjavorë”, e disa të tjerë e thonë se Kurti paska shkuar për ‘punë e jo për pushime’ siq ishte deklarata e deputetit Enver Dugolli; “kryeministri është jashtë vendit në samite dhe konferenca me një agjendë zyrtare që janë shumë të rëndësishme, kryeministri po e tregon të vërtetën për Kosovën. Në procesin e dialogut që jemi futur nuk mjafton të thuhet diçka vetëm kur shkohet në Bruksel, duhet në çdo forum të thuhet e vërteta për Kosovën. Këtë po e bën Kurti, ai nuk është me pushime, ai është më agjendë pune”.  

Mirëpo, bazuar në konsistencën e Albin Kurtit për të mos u kthyer për një vizitë të shkurtër në Kosovë edhe përkundër helmimit të 1500 qytetarëve, atëherë nuk kemi të bëjmë fare me vizitë zyrtare, por me pushime të hareshme në Greqi!

Kjo situatë të kujton kohën e luftës në Kosovë, derisa në një zonë lufte vriteshin ushtarët në pikat e pozicionuara, komandanti i tyre nuk e kishte prish qetësinë shpirtërore…, edhe Albin Kurti u tregua i vendosur për të mos e prishur qetësinë shpirtërore në ishujt e bukur grek!

Për fat të mirë, pasojat e helmimit nuk janë fatale, ndryshe as njohja nga Greqia nuk do ta arsyetonte indiferencën dhe as pastronte fytyrën e kryeministrit Albin Kurti!

Qytetarët, në veçanti votuesit, kanë të drejtë ta pyesin kryeministrin e tyre, pse nuk ka shkuar për pushime në Shqipëri por në Greqi, pse nuk ka shkuar në Ulqin por në ishujt grek!?

Sado që disa po mundohen t’i kamuflojnë me gënjeshtra pushimet e hareshme të Albin Kurtit në ishujt grek, e kanë të pamundur! “Ku ka zë nuk është pa gjë” e thotë një fjalë e urtë popullore. Do të jetë ‘abbronzatura’ apo lëkura e djegur nga dielli që do ta dëshmojë të vërtetën e ‘vizitave’ të Albin Kurtit në Greqi!