Kryeziu u drejtohet ambasadorëve: Mos e trajtoni Kosovën si fëmijë, do të mësojmë nga sfidat tona

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka reaguar përmes një mesazhi të drejtuar ambasadorëve të vendeve mike, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe institucionalet në vend. Ai kërkon që mospajtimet politike të mos dramatizohen dhe thekson se ato janë pjesë e demokracive të shëndetshme.

“Çdo republikë e re përballet me sfida, disa unike e disa më të zakonshme. Edhe mosmarrëveshjet gjatë formimit të një qeverie janë të pritshme. Ka gjithmonë një herë të parë për gjithçka, dhe edhe këtë sfidë do ta kalojmë e do të mësojmë nga ajo”, deklaron Kryeziu.

Ai apelon për përmbajtje nga reagimet e jashtme duke thënë se “Kosova nuk është një fëmijë që duhet të mësohet në çdo hap”. Sipas tij, spektri politik kosovar ka kapacitet për të nxjerrë mësime dhe për të ecur përpara.

Kryeziu gjithashtu nënvizon rolin e rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen e rendit dhe funksionalitetit të institucioneve. “Autoriteti i palëkundur i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se institucionet po funksionojnë. Nuk është e pazakontë që kjo gjykatë të marrë drejtimin për zgjidhjen e bllokimeve politike duke krijuar precedent për raste të ngjashme në të ardhmen”, përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP