Kryeziu: Qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe i njëjtë, Asociacioni që karakter themeltar e ka etninë, bie ndesh me Kushtetutën
Të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin.
Drafti që ka siguruar KOHA përmban 17 nene dhe parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Telegrafin se qëndrimi qeveritar për Asociacionin është i pandryshueshëm.
Sipas Kryeziut, Asociacioni që karakter themeltar, kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën.
“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacioni që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai.
Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar në media, Kryeziu ka thënë se përveçse është Draft, është edhe pa autor.
“Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë.
Ndërkaq, sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.
Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.
