Kryeziu: Paradoksale që një parti në pushtet vë në dyshim integritetin e zgjedhjeve
Drejtori i Demokracisë në Veprim (DnV), Ismet Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili premtoi se do të kujdeset për ruajtjen e secilës votë të besuar nga qytetarët.
Kryeziu e konsideron këtë një situatë paradoksale, duke theksuar se një parti që ka qeverisur për një mandat të plotë ka pasur mundësinë të ndërtojë institucione të forta dhe mekanizma për zgjedhje të lira dhe të drejta.
Ai shton se në një demokraci funksionale, përgjegjësia kryesore për garantimin e një procesi zgjedhor të besueshëm i takon qeverisë, jo partive që ngrenë dyshime mbi të.
Sipas tij, nëse një parti në pushtet pretendon për manipulime, atëherë ose ka dështuar të sigurojë integritetin e zgjedhjeve, ose po përgatit terrenin për të kontestuar një rezultat të pafavorshëm.
Kryeziu paralajmëron se ky diskurs mund të cenojë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe të krijojë precedentë me pasoja afatgjata për zgjedhjet në Kosovë. /Kosova.info/
