Kryeziu: LDK-ja drejt nën 10 për qind nëse riciklon të njëjtin klan – ky është menaxhim i rënies, jo reformë

Profesori universitar Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duke paralajmëruar se partia rrezikon rënie të mëtejshme elektorale nëse vazhdon me të njëjtën qasje dhe të njëjtat figura drejtuese.

Sipas Kryeziut, nëse kryetari aktual Lumir Abdixhiku e ka çuar LDK-në në rreth 13 për qind, atëherë alternativa si Avdullah Hoti apo Hykmete Bajrami, që ai i cilëson si “projeksione të pastra të Riinvestit”, do ta zbresin partinë pa asnjë dilemë nën 10 për qind.

“Ky nuk është më debat idesh apo reformë e mirëfilltë. Kjo është menaxhim i rënies dhe riciklim i një klani që e ka shteruar LDK-në politikisht dhe moralisht. Riinvesti nuk po prodhon lidership, por alibi për vazhdimin e kontrollit nga prapaskena”, ka theksuar Kryeziu.

Ai paralajmëron se defaktorizimi i LDK-së nuk është problem vetëm i kësaj partie, por dëm serioz për demokracinë në Kosovë. “Një LDK e zvogëluar, e frikësuar dhe e kapur është humbje direkte për pluralizmin politik. Pa një LDK funksionale, pluralizmi shndërrohet në dekor”, shprehet profesori universitar.

Në këtë kontekst, Kryeziu vlerëson se ndarja nga ajo që e quan “klani i Riinvestit” dhe nga kalkulimet e brendshme të figurave si Kujtim Shala nuk është çështje luksi, por kusht elementar për mbijetesën politike të partisë. “Çdo ‘zgjidhje’ që vjen nga e njëjta kuzhinë është vetëm një tjetër shminkë në arkivolin politik të LDK-së”, thekson ai.

Në përfundim, Kryeziu bën thirrje për reflektim të thellë dhe proces të hapur brendapartiak, që dëgjon bazën dhe rikthen besimin. “LDK-së i duhet reflektim i vërtetë, jo kirurgji estetike. Përndryshe, rënia nën 10 për qind nuk do të jetë aksident, por destinacion. Dëgjojeni Profën – ju del më mirë, edhe politikisht, edhe historikisht”, përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP