Kryeziu: Humbja e LDK-së është problem strukturor, pa ndryshim lidershipi reformat mbeten formale
Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se humbja e fundit zgjedhore e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk duhet parë si një zhvillim i izoluar, por si vazhdimësi e një trendi të rënies dhe stagnimit që ka karakterizuar këtë parti përgjatë disa cikleve zgjedhore.
Sipas Kryeziut, ky realitet dëshmon për një problem strukturor dhe politik brenda LDK-së, e jo thjesht për një dështim të momentit. Ai thekson se gjashtë vite udhëheqje pa rezultate domethënëse zgjedhore përbëjnë një çështje serioze të legjitimitetit politik të lidershipit aktual.
Duke u bazuar në standardet dhe vlerat e partive politike demokratike, e jo të formacioneve lideriste, Kryeziu thekson se në demokracitë funksionale partiake humbjet e përsëritura zakonisht prodhojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike. Sipas tij, kjo përgjegjësi, në mungesë të mekanizmave të tjerë efektivë, materializohet përmes dorëheqjes së kryetarit dhe të lidershipit udhëheqës.
Ai sqaron se dorëheqja nuk duhet parë si ndëshkim personal, por si një mekanizëm demokratik dhe institucional për hapje, ristrukturim dhe ripozicionim politik të partisë.
“Në përfundim, humbja zgjedhore kërkon përgjegjësi konkrete dhe ndryshim përmbajtësor. Pa ndryshim në lidership dhe në qasjen politike, çdo zhvillim tjetër rrezikon të mbetet formal dhe çdo reformë të jetë thjesht sipërfaqësore,” përfundon Kryeziu. /Kosova.info/
