Kryeziu: A mund ta kthejë Gjykata Kushtetuese afatin 30-ditor në pikën zero?
Ismet Kryeziu ka ngritur një pyetje me peshë për ish-gjyqtarët kushtetues, juristët dhe ekspertët e së drejtës duke kërkuar qartësi lidhur me mundësinë që Gjykata Kushtetuese të rikthejë afatin 30-ditor për konstituivin e Kuvendit në pikën zero, nëse konstatohet shkelje.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar dy kërkesa të paraqitura nga LDK dhe PDK, të cilat kontestojnë mënyrën e udhëheqjes së seancës konstituive. Kryeziu ngre shqetësimin se, nëse vërtetohet se Kryesuesi ka vepruar në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë Gjykata duhet të vlerësojë nëse afati 30-ditor është konsumuar në mënyrë kushtetuese apo jo.
Ai sjell në kujtesë rastin e vitit 2011, kur zgjedhja e Presidentit Behgjet Pacolli u shpall antikushtetuese – veprimi kishte ndodhur, por me shkelje, dhe Gjykata e ktheu në pikën zero. Në rastin aktual, sipas Kryeziut, veprimi nuk është lejuar të ndodhë fare, përkundër vullnetit politik të shumicës së deputetëve për ta përmbushur mandatin e tyre. Kjo, siç thotë ai, përbën një formë tjetër të shkeljes – bllokim i qëllimshëm i institucionit.
“Gjykata ende nuk ka dhënë përgjigje për mënyrën e udhëheqjes së seancës. Ajo përgjigje do të jetë vendimtare: nëse konstatohet shkelje, kthimi në pikën zero është rruga e vetme kushtetuese për të mbrojtur rendin demokratik”, thekson Kryeziu.
Sipas tij, deputetët që kanë vepruar në përputhje me besimin e tyre kushtetues nuk mund të penalizohen për një bllokadë të shkaktuar nga një deputet me mandat teknik. Ai paralajmëron se mosadresimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese rrezikon të legjitimojë një akt antikushtetues dhe të krijojë precedent të rrezikshëm për të ardhmen. /Kosova.info/
