Kryeqyteti: Në terren që nga orët e para të mëngjesit, vazhdon pastrimi i rrugëve dhe trotuareve nga bora

Që nga orët e hershme të mëngjesit, ekipet e Kryeqytetit janë angazhuar intensivisht në terren për pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe shesheve, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe garantimit të sigurisë për qytetarët.

Me mjete mekanike dhe ekipe të specializuara, puna po zhvillohet në të gjitha zonat e Kryeqytetit duke u fokusuar në akset kryesore, lagjet me frekuentim të lartë dhe hapësirat publike. Autoritetet komunale bëjnë të ditur se operacioni i pastrimit do të vazhdojë pa ndërprerje, në varësi të kushteve atmosferike.

“Kryeqyteti mbetet në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të qytetarëve duke i ftuar ata për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe për bashkëpunim në këto kushte dimërore”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP